“50 ditë të arta për Putinin”/ Dyshimet në Kiev pas “ofertës” së Trump

Vetëm një emoji me dy sy të zgurdulluar, publikuar në rrjete sociale më shumë se një orë më vonë nga kreu i Zyrës Presidenciale, Andriy Yermak, figurë kyçe e pushtetit që po riformatohet me një rrokadë të madhe brenda administratës ukrainase.

Vetë presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi dje se do t’i propozojë parlamentit emërimin e ministres së Ekonomisë, Yulia Sviridenko, si kryeministre, në vend të Denys Shmyhal që do të kalojë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Rustem Umerov, aktualisht ministër i Mbrojtjes, pritet të emërohet ambasador në SHBA. Një lëvizje e gjerë që forcon kontrollin e Zelensky-t dhe sidomos ndikimin e Yermak.

Sy të zgurdulluar, jo si entuziazëm, por si sinjal: “E patë vetë?”, “Shikoni me kujdes!”, një mënyrë për të theksuar se ekipi i Kievit i sheh “fije për pe” vendimet nga Shtëpia e Bardhë, përtej qëndrimeve të ftohta që Trump ka shfaqur shpesh ndaj Zelensky-t.

Vetë presidenti ukrainas priti me orë para se të reagonte me tone të kujdesshme: “Jam mirënjohës për gatishmërinë e presidentit Trump për të mbështetur mbrojtjen e popullit tonë.”

Më herët gjatë ditës, Zelensky kishte takuar të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë, Keith Kellogg, i cili i kishte dhënë paralajmërimet për zhvillimet e pritshme. Pas takimit, ai e falënderoi Trumpin për “sinjalet e rëndësishme të mbështetjes dhe vendimet pozitive”.

Më vonë, pas bisedës telefonike me Trumpin, ai shtoi: “Paqja arrihet vetëm me forcë. Kjo është ajo për të cilën kemi folur me presidentin Trump dhe përfaqësuesit e Kongresit. Ekipet tona po punojnë për të siguruar forcat dhe mjetet që na nevojiten: armë amerikane dhe sanksione ndaj Rusisë. Falënderoj SHBA-të, Gjermaninë dhe Norvegjinë për sistemin e ri Patriot që po përgatitet për Ukrainën. Po punojmë edhe për marrëveshje të reja të mbrojtjes me SHBA, sëbashku mund të bëjmë shumë për sigurinë.”

Por pavarësisht falënderimeve, reagimet në rrjetet sociale ukrainase ishin më shumë të mbushura me zhgënjim sesa me entuziazëm për raketat Patriot.

Analistët janë skeptikë. Ruslan Bortnik, drejtor i Institutit të Politikës Ukrainase, thotë: “Qeveria po e shet si fitore ndryshimin e qëndrimit të Trump. Por për Kievin nuk ka rëndësi kush paguan, amerikanët apo europianët: problemi është që SHBA-të nuk do të ndihmojnë më ushtarakisht, por vetëm do të shesin armë. Europa, ndërkohë, do të detyrohet të mbulojë boshllëkun me më shumë angazhim dhe shpenzime. Por a do ta përballojë dot këtë barrë në afatgjatë?”

Edhe më i diskutueshëm është ultimatumi prej 50 ditësh, pa asnjë sanksion të menjëhershëm. Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së, paralajmëron: “Është një periudhë shumë e gjatë, duke pasur parasysh se ukrainasit po vriten çdo ditë.”

Deputetja Mariana Bezugla, e afërt me Yermak dhe anëtare e shumicës që mbështet Zelensky-n, është edhe më e drejtpërdrejtë: “Ky është kompromis! Trump i dha Putinit edhe 50 ditë të tjerë për të marrë Ukrainën. Ka dorë të lirë, Dnipro apo Kramatorsk.”

Sipas “Axios”, më 3 korrik, Vladimir Putin e kishte paralajmëruar Trumpin se do të përpiqej të pushtonte plotësisht rajonet e mbetura brenda 60 ditësh. Dhe ultimatumi për sanksionet përfundon saktësisht në ditën e 60-të.

Në grupet Telegram dhe komentet në media, atmosfera është e zymtë. “Pas muajsh negociatash të pafrytshme, Trump u dha terroristëve edhe dy muaj të tjerë për vrasje masive./tvklan.al

Аналитические материалы УИП